Dita e Parë e Trajnimit të Mësuesve të Edukimit Fizik në kuadër të projektit “Kujdes për Fëmijët- Parandalimi dhe Trajtimi Skoliozës ”
Më 6 Nëntor 2025, në Sallën Black Box të Shkollës së Muzikës “Jan Kukuzeli” në Durrës, u zhvillua dita e parë e trajnimit të mësuesve të edukimit fizik në kuadër të projektit “Kujdes për Fëmijët – Parandalimi dhe Trajtimi i Skoliozës”, një iniciativë e përbashkët e Rotary Club Durrës (Distrikti 2485) dhe Rotary Club Keystone (Distrikti 7280).
Ky aktivitet shënoi nisjen e një programi të gjerë ngritjeje kapacitetesh, i cili synon të forcojë rolin e shkollës në identifikimin e hershëm dhe parandalimin e deformimeve të shtyllës kurrizore tek fëmijët. Në trajnim morën pjesë mësues të edukimit fizik, specialistë të shëndetit, përfaqësues të institucioneve arsimore dhe anëtarë të komunitetit rotarian.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të Presidentit të Rotary Club Durrës dhe të Kryetares së Fondacionit Rotary për Distriktin 2485, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shkollës, familjes dhe profesionistëve të shëndetit për mbrojtjen e mirëqenies së fëmijëve. Më pas u prezantuan objektivat e projektit dhe programi i trajnimit, duke vënë në fokus krijimin e një mjedisi shkollor më të sigurt dhe më të ndërgjegjshëm ndaj problemeve të posturës.
Gjatë sesioneve profesionale, pjesëmarrësit u njohën me rolin e shkollës dhe të prindërve në parandalimin e deformimeve të shtyllës kurrizore, rëndësinë e zbulimit të hershëm të skoliozës dhe përgjegjësinë që kanë mësuesit e edukimit fizik në identifikimin e shenjave të para të saj. Specialistët ortopedë dhe fizioterapistë prezantuan gjithashtu metoda praktike për vlerësimin e qëndrimit trupor të nxënësve në ambientet shkollore.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një rrjeti profesionistësh të aftë për të kontribuar në parandalimin, zbulimin e hershëm dhe menaxhimin e skoliozës, duke ndihmuar mijëra fëmijë të rriten më të shëndetshëm dhe me cilësi më të mirë jete.